Udhetim ne Shqiperi me biçikletë

Udhetim ne Shqiperi dhe rikthimi me biçikletë

Një vit e gjysmë pas udhëtimit të parë me biçikletë në Shqipëri vendosa të rikthehem në një sezon shumë më mikpritës. Në ndryshim nga ai fundvit, të cilin e kalova duke pedaluar rrugët malore të mbuluara nga akulli, nga rrethinat e Tiranës e deri në Liqenin e Ohrit, itinerari i ri ishte përgjatë gjithë bregdetit të Jugut, nga Vlora në Butrint, parku arkeologjik i përfshirë prej vitesh në trashëgiminë e UNESCO-s. Motive të ndryshme më shtynë të rikthehesha në Shqipëri, disa prej të cilave lidhen me bukuritë e vendit, të zbuluara fillimisht përmes kërkimeve në internet. Por edhe arsye të tjera praktike, që kanë mjaft rëndësi. Do ta filloj nga këto të fundit.

Shqipëria është e lehtë të arrihet me traget nga Italia, një zgjidhje relativisht e lirë (70 € nga Brindisi) që ju lejon të transportoni biçikletën tuaj pa pasur nevojë për ta çmontuar dhe paketuar nëpër qese, siç ndodh gjatë udhëtimeve me aeroplan apo trenat rajonalë.

Shqipëria është shumë ekonomike e të lejon të provosh çdo luks pa prekur rëndë financat, çka në këtë kohë është gjithnjë e këshillueshme. Neve nuk na mungoi asnjëherë asgjë: mbrëmjet në hotele, darkat në taverna dhe udhëtimet në vendet më interesante.

Pesë ditë shpenzuam rreth 250 euro për dy vetë

pesë ditë, tri të kaluara në pedalim dhe dy për të vizituar Vlorën dhe Butrintin, shpenzuam rreth 250 euro për dy vetë. Për një dhomë çift në një hotel të mirë në zonën turistike shpenzon aty tek 30 eurot ose më pak. Për një darkë të bollshme me mish ose peshk për dy persona, zor se mund të kalosh shumën e 15 eurove.

Shqipëria është ende e painfektuar nga turizmi masiv, ai lloj turizmi që përgjatë 10 viteve të fundit është duke u zhvilluar në Kroaci e që ka filluar t’i ndjehet zëri edhe në bregdetin e Malit të Zi. Pjesa më e madhe e turistëve janë vendasit e këtu shtojmë edhe pak italianë, veçanërisht në parkun arkeologjik të Butrintit (një gjë u duhet njohur turistëve italianë jashtë vendit: janë konsumatorët më të mëdhenj të kulturës, ndryshe nga anglezët apo gjermanët, që i gjen më së shumti në plazh apo nën çadrën e ndonjë bari).

A nuk është i rrezikshem  nje udhetim ne Shqiperi me biçikletë

Shqiperia me biciklete

Pyetja e parë që të bëjnë shpesh, kur thua se do të udhetosh në Shqipëri me biçikletë, është: A nuk është e rrezikshme? Jo, aspak! Nuk ka qenë e rrezikshme as një vit e gjysmë më parë, në një zonë shumë më të varfër e fare pak turistike. Rreziku më i madh që na u desh të kalonim ishte pagesa e 4 000 lekëve për dy tost-e (aty tek 30 euro). E vumë re që nuk ishin prej floriri vetëm pasi u arratis kamerieri! Por nuk më rezulton që ne italianët jemi mjeshtra të guidave të sigurta, apo shpesh, të ndershmërisë me çmimet përballë turistëve. Ndaj edhe nëse më duhet të përcaktoj një shkallë të rrezikut në Shqipëri, do të thosha se është si Italia. As më shumë e as më pak! Pa llogaritur herët që përgjatë rrugës na kanë dhënë ujë, fiq dhe përshëndetje të përzemërta e buzëqeshje.

Pasi udhëtuam përgjatë natës me target nga Brindizi, mbërritëm në Vlorë në mëngjes herët dhe e zumë ditën duke vizituar qytetin.

 

Ç’ka për të parë në Vlorë

Ismail Qemali ne Vlore

Muzeun e Pavarësisë, e cila shënoi 100-vjetorin në 2012 në ish-selinë e vjetër të qeverisë (Vlora ishte kryeqyteti), ku nëse jeni me fat, guidën do t’ua bëjë një arkeolog shqiptar që flet një italishte perfekte. Kushton 100 lekë. Më pas xhaminë e Muradies dhe varrin e Ismail Qemalit, ish-kryeministrit të parë shqiptar dhe babait të pavarësisë nga Perandoria Osmane si dhe një tufë me sheshe mbresëlënëse, në njërin prej të cilëve ndodhet monumenti i Pavarësisë.

Etapa e parë – Vlorë-Qafa e Llogarasë

Llogara

Llogara ndodhet 40 kilometra larg detit dhe mbi 1 mijë metra lartësi, një ndihmë e vërtetë pas një dite të nxehtë të kaluar në Vlorë. Përgjatë rrugës ndodhen hotele me çmime të përshtatshme për të gjithë xhepat. Ne zgjodhëm një kompleks me kabina druri të lezetshme e spartane për 25 euro.

Etapa e dytë – Qafa e Llogarasë-Himarë

Në mëngjes zbresim nga 1 mijë metra lartësi në një seri të gjatë kthesash. Në njërën prej tyre shfaqet një tarracë, kur një grup të rinjsh marrin vrullin për t’u hedhur me parashutë. Ne ndërkohë zbresim drejt e në Dhërmi, një fshat pak kilometra larg detit, që mban aromë Greqie. Mos u mashtroni me rrugën përgjatë bregdetit, sepse në asnjë çast nuk është e drejtë. Lartësitë janë të vogla, nën 300 metra, por zbritja e shpateve është e vazhdueshme dhe asnjëherë e thjeshtë. Destinacioni është pas 35 kilometrash në Himarë, qytezë turistike ku mund të lëshohesh drejt një zhytjeje të merituar në det.

Etapa e tretë

Ksamil

Himarë-Ksamil. Rreth 65 kilometra nga një fshat turistik në tjetrin, por gjithnjë me lartësi diskrete në mes. Lart e poshtë, ngjit e zbrit, bregdeti shqiptar është i sheshtë po aq sa një top në një kuadrat. Një zonë krejt anonime në pjesën e parë të udhëtimit u rregullua në të vërtetë shumë në finale: gjatë kilometrave të fundit drejt Ksamilit, përgjatë lagunës së Butrintit. Ksamili, ku edhe qëndruam është vetëm 3 kilometra larg Butrintit, parkut arkeologjik të UNESCO-s, të cilin e vizituam me nge për gjysmë dite të nesërmen. Mos u tundoni nga taksistët, të cilët ju ftojnë të ngjiteni në makinat e tyre për 1 mijë lekë vajtje dhe kthim (edhe pse 8 euro nuk janë shumë) sepse aty kalon autobusi. Kini besim, një herë në 1 orë, por kalon. Ai do t’ju sjellë në destinacionin tuaj për vetëm 100 lekë e ato që kursyet, mund t’i shpenzoni shumë më mirë se në një taksi.

Ia vlen të përmendet se Butrinti

Pa u ndalur shumë në përshkrime historike që mund t’i gjeni lehtësisht në Wikipedia, ia vlen të përmendet se Butrinti është një qytet i Epirit, i shekullit të tretë para Krishtit nën protektorat romak e më vonë, i një kolonie përgjatë periudhës së Çezarit. Pas rënies së Perandorisë Romake kaloi në duart e Perandorisë së parë Bullgare, të bizantinëve, Republikës së Venedikut, Napoleonit e në fund, nën Perandorinë Osmane deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj. Mbi të kanë kaluar periudha të ndryshme historike, siç tregohet nga përshkrimet e secilës prej ndërtesave të qytetit.

Butrinti

Rrënojat e Butrintit janë zbuluar gjatë periudhës fashiste duke filluar nga viti 1928, kur Musolini dërgoi atje një ekspeditë arkeologësh, jo vetëm për të kryer gërmimet, por edhe për të konsoliduar prezencën italiane në Shqipëri. Brenda një muzeu të vogël në Butrint gjenden fotografi të ndryshme që dëshmojnë punën e italianëve me gërmimet në zonë.

Në vitin 1992, parku arkeologjik i Butrintit u bë pjesë e trashëgimisë botërore UNESCO e që prej vitit 1997, është përfshirë mes atyre që gjenden në rrezik, për shkak të kujdesit të paktë të mirëmbajtjes dhe vjedhjeve të shpeshta të kohës. Në vitin 2005 është hequr nga kjo listë falë një pune të madhe me promocionin turistik, që e ka kthyer parkun arkeologjik të Butrintit gjatë viteve të fundit në një prej destinacioneve më interesante për vizitorët vendas e të huaj. Hyrja në parkun arkeologjik kushton 500 lekë, aty tek 4 eurot.

 

Nga perkthyer nga mapo.al

Keni biznesin ne qarkun e Vlore?
[maxbutton id=”3″]

Share - Shperndaheni:

Albania Blog - Shqip (Albanian) , , , ,

Your Comments

Sign up for our Newsletter

Enter your email and stay on top of things,

Newsletter