Sazani Vlore – Ishulli me i madh i Shqipërisë

Sazani Vlore – Ishulli më i madh i vendit

Sazani Vlore

Sazani Vlore

Ishulli më i madh i vendit, ai i Sazanit, vijon të mbetet mollë e ndaluar edhe pse kanë kaluar 20 vite demokraci. Askush nuk mund të shkelë në ishullin që ndodhet vetëm 17 km larg portit. As vetë vlonjatët nuk e njohin ishullin e vetmuar që qëndron mes Jonit dhe Adriatikut, në krye të gjirit të Vlorës.  Dikur, në kohën e diktaturës, duhej të merrje leje në Ministrinë e Brendshme për të vizituar këtë ishull. Por, edhe sot, procedurat nuk janë lehtësuar. Personat që duan të shkelin në ishullin ushtarak duhet të marrin një leje në Ministrinë e Mbrojtjes.

Së fundi, ata që shprehen më kureshtarë janë turistët e huaj. Vetë civilët, shtetas shqiptarë, janë mësuar se turizmi i tyre në zonën e Vlorës e ka të përjashtuar një vizitë të mundshme në ishullin që duket mjaft afër gjirit të Vlorës. Ndërsa turistët e ardhur nga shtete të ndryshme të botës pyesin kureshtarë për ishullin që duket me sy të lirë. Askush nuk di tu japë një përgjigje të saktë. Dikush përgjigjet se Sazani do të bëhet baza ushtarake e NATO-s. Ndërsa të tjerë i informojnë ata për projekte madhore ku ishulli do të bëhet një qendër turistike e madhe, të cilën do të mund ta vizitonin të gjithë shqiptarët dhe turistët e huaj.


Sazani, nje ishull ushtarak

Pas vitit 1997, veç forcave të ushtrisë shqiptare, në Sazan u instaluan edhe forcat ushtarake italiane të Guardia di Finanza-s, me qëllim për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, trafikun e drogës, kontrabandën e mallrave të ndryshme etj. Incidentet ndërmjet dy forcave ushtarake nuk kanë munguar, madje edhe deri në drejtimin e armëve njëri- tjetrit. Shkak është bërë se kush do të kishte komandën për të lejuar apo jo civilë të hyjnë në zonën e ishullit, e konsideruar tashmë si një zonë e mirëfilltë ushtarake. Një ndër precedentët është shënuar rreth 4 vite më parë, ku një grup gazetarësh tentuan të futen në ishull. Por ata nuk u lejuan nga forcat italiane të zbarkojnë, ndonëse kishin marrë miratimin e ushtarakëve shqiptarë. Është dashur ndërhyrja e Ministrisë së

Mbrojtjes për të shmangur incidente të mundshme ndërmjet forcave ushtarake.

Por, fatkeqësisht, edhe pasi kanë kaluar 20 vite demokraci, në ishull nuk lejohet të futet asnjë civil, shtetas shqiptar apo turistë të huaj. Në kohën e diktaturës ishulli banohej nga ushtarakët dhe familjet e tyre. Në ishull kishte spital, shkollë, çerdhe dhe kopshte për fëmijët e ushtarakëve. Për nevoja të ndryshme, transporti i tyre bëhej me anije ushtarake për në Vlorë. Pas viteve 90, ushtarakët u larguan me familjet e tyre, ndërsa ishulli ngeli vetëm në ruajtje të një skuadre ushtarësh. Pas trazirave të 97-s në të u vendosën dhe ushtarakët italianë. E shohim nga larg, por kurrë nuk i jemi afruar. Është i vetmi ishull që kemi në vend dhe askush nuk e ka vizituar. Ka mbetur ashtu, i vetmuar, ndonëse thuhet se është një mrekulli që duhet eksploruar. Na pyesin dhe turistët e huaj. Ata janë kureshtarë dhe thonë se si mund të shkojnë deri aty. Por e vetmja përgjigje që mundemi tu japim është se zona është ushtarake dhe nuk lejohet të shkelësh në të, shprehet pronari i një lokali në bregdet, i cili është banor i qytetit të Vlorës.

 

Ishulli 4.8 km me gryka e shpella

Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometra katrorë dhe shtrihet në hyrje të gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometra. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometra. Në anën perëndimore, gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detar-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra.

Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë jugore, me lartësi 331 metra. Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare. Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë celsius dhe e korrikut 23,4 celsius. Në këtë ishull ndodhen edhe disa shpella të paeksploruara.

 

 

 

Vlore, QEMAL BIRAKU

 

Sazani Vlore eshte ishulli më i madh i vendit. Sazani vijon të mbetet mollë e ndaluar edhe nese kaluan 20 vite demokraci. Askush nuk mund të shkelë në Sazan
Sazani Vlore - Ishulli më i madh i vendit
Date Published: 05/16/2013
Nje vend i mrekullushem. Shpresojme se se shpejti do te na jepet mundesia ta vizitojme Sazanin dhe nga afer.
5 / 5 stars
Share - Shperndaheni:

Blog - Shqip (Albanian) , ,

Your Comments

Sign up for our Newsletter

Enter your email and stay on top of things,

Newsletter