Vlora: 10 arsye përse duhet vizituar Vlora magjike

Vlora: 10 arsye përse duhet vizituar!

Ja cilat janë 10 arsyet pse duhet vizituar VLORA.

Sot do të shkruajmë për qytetin e bukur të Vlorës.

Vlonjatët janë teje krenarë për qytetin dhe identitetin e tyre “lab”, siç u pëlqen edhe shqiptarëve nga qytete të tjera t’i quajnë! Vlora është një ndër ato qytete shqiptare, që ka se për çfarë të dallohet: qoftë për vlonjatët e saj të hedhur e fjalëshumë, qoftë për theksin e tyre apo të famshmet shprehje “O motra“, “O vëlla“, qoftë për historinë dhe rolin e saj në vendosjen e Pavarësisë, apo për bukuritë natyrore që ofron.

Megjithatë, veçantitë e Vlorës nuk mbarojnë vetëm këtu!

Ne do t’ju njohim edhe me 10 arsye të tjera përse duhet ta vizitoni Vlorën tonë! 

 

1. Det, diell dhe plazh

Det, diell dhe plazh

Det, diell dhe plazh

Arsyeja kryesore përse Vlora tërheq turistë, është padyshim për shkak të plazheve të saj. Mund të bëni plazh brenda qytetit të Vlorës, për të patur më afër edhe hotelet, baret, restorantet dhe gjallërinë e qytetit, ose mund të lëvizni me makinë pak më tutje, në Kala, Plepat, Karaburun, Radhimë, Orikum, Dhërmi, Jalë etj. Një destinacion mjaft i njohur nga të rinjtë është edhe Folie Marine, në Jalë, një kompleks i përkryer për disa ditë pushimi pranë detit, diellit dhe muzikës, por as larg Vlorës, për të kaluar një mbasdite të bukur në gjallërinë e qytetit.

Folie Marine

Folie Marine

Gjetja e hoteleve për të ndejtur gjatë pushimeve verore nuk është aspak e vështirë, si në Vlorë, ashtu edhe në rrethinat e saj. Një plus për hotelet është edhe afërsia e tyre me detin, si dhe plazhet private, kështu që turistët nuk kanë përse të lodhen duke kërkuar një plazh perfekt. Nëse plazhi privat i hotelit nuk ju mjafton, mos u shqetësoni aspak: mjafton të keni një makinë dhe dëshirën për të eksploruar, dhe mund të kaloni çdo ditë të pushimeve tuaja në nga një plazh të ri. Ku do të ishte qejfi i pushimeve pa pakëz eksplorim dhe aventurë brenda tyre? 😀

2. Sporte ujore (dhe jo vetëm!) për aventurierët

Ekspedita Blu

Ekspedita Blu

Nëse nuk keni provuar asnjëherë sporte të tilla si zhytje, hedhje me parashutë, rafting, lundrim me kajak etj., atëherë keni provuar shumë, shumë pak aktivitete mahnitëse! Ne ju këshillojmë të mos humbisni më kohë, e nëse keni frikë, mposhteni frikën tuaj dhe përqafojeni aventurën! Ju premtojmë që do t’ia vlejë!Në Vlorë mund të provoni për herë të parë zhytjen në ujërat e pastra të Rivierës tonë, dhe “Ekspedita Blu” mund t’ju ndihmojë dhe t’ju japë një eksperiencë të sigurt e të paharrueshme në këtë drejtim!

Paragliding ne Vlore

Paragliding ne Vlore

Nëse preferoni paragliding, apo hedhjen me parashutë, ju sugjerojmë Albania Open, e cila organizon në Vlorë një event të përvitshëm të hedhjes me parashutë, për profesionistët apo edhe amatorët!Mos u shqetësoni: nëse nuk keni provuar kurrë hedhje me parashutë, një profesionist ju shoqëron gjatë gjithë fluturimit tuaj. E vetmja gjë që ju duhet të bëni, është të relaksoheni, të merrni frymë thellë dhe të shikoni bukuritë e natyrës vlonjate, aq sa t’ju hajë syri. Na besoni, syri juaj nuk do të ngopet kurrë!

Nëse dëshironi të mos jeni as në ajër e as nën ujë, por mbi ujë, atëherë udhëtimet me kajak gjatë Rivierës Shqiptare që ofron Outdoor Albania janë të duhurat për ju! Kajaket nuk janë e vetmja gjë që ofron Outdoor Albania: rafting, çiklizëm, kanoe, ture kulturore etj. përfshihen gjithashtu në shërbimet e tyre. Mjafton vetëm që t’i vini gishtin një eksperience dhe gjithçka tjetër do të jetë gati për ju!

3. Padyshim, Llogaraja!

Llogara Vlore

Llogara Vlore

Nuk jemi duke folur vetëm për rrugën sfiduese të Llogarasë, në të cilën djemtë kanë fort dëshirë të provojnë veten dhe aftësitë e tyre si shoferë!Mund të jetë një eksperiencë mjaft e bukur për ta (dhe pakëz e frikshme, mbase), por rruga është gjëja më e paktë që mund t’i shijosh një bukurie të tillë si Llogaraja! Nese deshironi te pushoni gjate nates ne Llogara ju sugjerojme Hotel Hamiti.

Llogara

Llogara

Si një ndër parqet natyrorë më të rëndësishëm të vendit tonë, Llogaraja e meriton plotësisht famën që ka: kudo në Llogara të zë syri gjelbërim, me pemë konifere si pisha e zezë dhe frashër. Edhe fauna nuk ngelet pas për nga shumëllojshmëria, me kaprojtë, thëllëzat, shqiponjat, lundërzat, dhitë e malit, ketrat etj. Këto kafshë mund të gjenden edhe në zonën turistike të Llogarasë, e cila ka edhe shtëpi pushimi prej druri, gjelbërim mahnitës dhe ajër të pastër malor.

Pisha flamur, Llogara

Pisha flamur, Llogara

Ndër monumentet natyrore në Llogara mund të vizitoni Pishën “Flamur”, e cila ka marrë formën e një flamuri për shkak të erërave të forta që fryjnë në atë zonë. Shpella e Lepenicës është një tjetër zonë që nuk duhet lënë pa u vizituar, sepse në muret e saj gjenden shkrime që nga kohët prehistorike. Të tjera shpella janë shpella e Shëngjergjit, e cila thuhet se përdorej nga mbretëresha Teutë e Ilirisë, dhe shpella e Haxhi Alisë, që vizitohet vetëm nga deti, nga Vlora në kepin e Gjuhëzës.

Nëse jeni hamës të mëdhenj, duhet patjetër të provoni restorantet e Llogarasë, e sidomos specialitetin e tyre, qengjin në hell. Gjithashtu, kosi i tyre i deles, ullinjtë, mjalti dhe vera e zonës nuk duhen anashkaluar. Edhe ëmbëlsira hasude, të cilën, sipas fjalëve të turistëve, “e qajnë” në Llogara, ia vlen të provohet për ta ëmbëlsuar edhe më tej këtë eksperiencë mahnitëse.

4. Folku dhe Isopolifonia Labe

Folku dhe Isopolifonia Labe

Folku dhe Isopolifonia Labe

E dinit që isopolifonia labe është shpallur kryevepër e trashëgimisë gojore njerëzore nga UNESCO, më 25 nëntor 2005? Ndonëse shqiptarët mund të jenë më të jenë më të mësuar me këtë stil të kënduari, me shumë zëra në sinkronizim, ju premtojmë që turistët e huaj do të ngelen gojëhapur dhe të mahnitur nga ky këndim kaq i pazakontë.Këngët polifonike labe janë mjaft të ndjera, dhe nëse keni dëshirë të dëgjoni nga afër këtë perlë gojore, ku mund ta dëgjoni më mirë se sa në Vlorë dhe rrethinat e saj? Në fund të fundit, e thamë pak më lart që vlonjatët quhen labë nga të tjerët, dhe jo më kot!

Aulona Folk Festival

Aulona Folk Festival

Gjithashtu, në qytetin e Vlorës organizohet çdo vit Aulona Folk Festival, me rastin e çeljes së sezonit turistik në këtë qytet. Duhet me të vërtetë të merrni pjesë në festimet tradiconale të këtij festivali, pasi, në fund të fundit, aty shpalosen trashëgimitë folklorike dhe kulturore që labët kanë përcjellë brez pas brezi, deri në ditët e sotme. Aulona Folk Festival është një ndër shfaqjet më të mira të pasurive kulturore dhe shpirtërore të vlonjatëve dhe qytetit të Vlorës.

5. Laguna (dhe vera!) e Nartës

Laguna e Nartes

Laguna e Nartes

Nëse jeni një adhurues i kafshëve, atëherë do ta adhuroni larminë e gjallesave në këtë lagunë, e dyta në Shqipëri për nga madhësia. Në lagunën e Nartës ka 195 lloje shpezësh. Gjatë dimrit, aty ngrenë fole rreth 48.700 shpendë deti dhe jo vetëm kaq: në këtë lagunë ndodhen shpendë të rrallë si pelikani kaçurrel, shqiponjat bishtbardhë, skifterët shtegtarë, qiftet e zeza, madje edhe flamingot!Jo vetëm që mund të hasni shpendë nga më të bukurit në këtë lagunë, por duhet të dini edhe këtë gjë: zona e Nartës dhe e Zvërnecit është mjaft e famshme për prodhimin e verërave ndër më të mira në Shqipëri. Pjesë e turizmit është padyshim edhe shijimi i ushqimit vendas: një drekë në Nartë, me levrekë ose ngjala të porsakapura dhe verë të prodhuar në shtëpi, është padyshim një drekë për të lëpirë gishtat!

Parku Kombëtar i Marinës Karaburun-Sazan

Parku Kombëtar i Marinës Karaburun-Sazan

Një tjetër vend që adhuruesit e natyrës dhe kafshëve nuk duhet ta humbin është Parku Kombëtar i Marinës Karaburun-Sazan. Përveç pemëve si pishat dhe fierët, ky park ka edhe delfinë të llojit Delphinus delphi dhe Tursiops truncatusdhe foka mesdhetare. Zhytjet në këtë park këshillohenshumë, pasi jo vetëm që uji është i mrekullueshëm, por edhe takimi me kafshë të ndryshme e shumëfishon kënaqësinë e eksperiencës.

6. Pamja nga Kuzum Baba

Kuzum Baba, Vlore

Kuzum Baba, Vlore

Pamja nga një kodër mund t’ju duket e çuditshme si arsye për të vizituar një qytet, por na besoni, ia vlen me të vërtetë. Kuzum Baba është pika më e lartë e qytetit të Vlorës dhe ofron pamjen më të mrekullueshme të tij, sidomos natën, kur qyteti farfurit nga dritat. Nga kjo kodër mund të bëhen foto të mrekullueshme të qytetit të Vlorës. Të gjithë turistët që e kanë pasion fotografinë nuk duhet ta humbasin peisazhin që ofron Kuzum Babaja.

Kuzum Baba, Vlore

Kuzum Baba, Vlore

Për më tepër, një mbrëmje e kaluar atje, në shoqërinë e miqve dhe pijeve që lokali mbi kodër ofron, si dhe pamja e Vlorës që sa vjen e ndriçon më shumë, është një mbrëmje e përkryer verore!Pamja që ofron Kuzum Baba nuk është e vetmja arsye përse duhet vizituar kjo kodër. Aty ndodhet edhe teqeja Kuzbabai, qendër e betakshizmit dhe besimtarëve bektashianë në Vlorë. Nuk kishte si të gjendej vend më i përshtatshëm për një teqe: qetësia dhe bukuria e kodrës, si dhe besimi human, ndërthuren në mënyrë të përkryer në teqenë Kuzbabai.

7. Pse jo, edhe jeta e natës

Jeta e natës ne Vlore

Jeta e natës ne Vlore

Jo të gjithë turistët janë familjarë, të nisur për pushime të qeta buzë detit me familjen e tyre. Ndonëse Vlora siguron pushime perfekte për familjarët, ajo nuk lë pas as moshat e reja, përkundrazi: nëse jeni të rinj në moshë dhe në kërkim të pushimeve aktive dhe plot gjallëri, atëherë Vlora është për ju!Ish-maturantët ose studentët e universiteteve e kanë zakon që të nisen drejt jugut të Shqipërisë për të kompesuar kohën e lirë që u kushtuan mësimeve gjatë vitit të tyre shkollor, si dhe për t’u çlodhur.

Clubs ne Vlore

Clubs ne Vlore

Çlodhja për shumicën prej tyre nënkupton plazh gjatë ditës dhe klube gjatë natës! Arsyeja përse Vlora është qyteti perfekt për ta, është sepse i siguron që të dyja këto gjëra! Të rinjtë mund të shëtisin nga plazhi në plazh gjatë ditës dhe, gjatë natës, të frekuentojnë klube të tilla si Mojito Club, Bliss Club, Summer Depo etj.Vera është periudha e “shpërthimit” për këto klube: ata jo vetëm që sigurojnë muzikën më të fundit, por edhe “lukse” të tilla si DJ me famë, këngëtarë, balerina etj. Nuk duket keq për disa ish-studentë të rropatur nga mësimet, apo jo?

8. Edhe për “peshkopët” e historisë!

Historia e Vlores

Historia e Vlores

Një ndër arsyet kryesore përse njerëzit vizitojnë qytete apo shtete të huaja, është padyshim për kulturë dhe njohjen e historisë së tyre. Për këtë arsye, ata shpesh herë organizohen në ture me ciceronë, për të thithur vendet dhe historitë më të rëndësishme të atij qyteti/shteti. Askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e Vlorës në historinë e popullit shqiptar, dhe jo vetëm për shkak të shpalljes së pavarësisë në këtë qytet më 28 nëntor 1912. Njerëzit e etur për histori duhet të dinë që Vlora ka ekzistuar që në antikitet, me emrin Aulona, si dhe ishte një ndër portet kryesore të Mbretërive Ilire të kohës. Ndër familjet më të rëndësishme të Vlorës ka qenë familja Arianiti, me në krye Gjergj Arianitin, i cili organizoi kryengritje kundër zgjedhës osmane në vitet 1431-1432. Vajza e tij, Donika, u martua me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Edhe gjatë viteve të pushtimit osman, Vlora ka qenë një ndër qendrat e patriotizmit shqiptar, falë klubit “Labëria”, me në krye plakun Ismail Qemali. Roli i tij në vendosjen e pavarësisë është i njohur gjerësisht midis shqiptarëve.Kërkoni më tepër histori? Qyteti i Vlorës ka plot histori për ju! Historia e saj është e shkruar kudo nëpër qytet, pasi Vlora dhe vlonjatët janë krenarë për historinë e tyre shumëshekullore!

9. Mos harroni ushqimin!

Gatimi karakteristik i Vlorës

Gatimi karakteristik i Vlorës

Shqiptarët duan bollëk në ushqim, por vlonjatët duan akoma më shumë! Qengji i tërë në hell, gatim karakteristik i Vlorës, e dëshmon fare mirë këtë gjë! Gatimet me mish janë mjaft të preferuara në Vlorë, sidomos shoqëruar me rakinë e rrushit të zonës. Të tjera ushqime karakteristike të Vlorës janë kosi dhe gjiza e deles, djathi i dhisë, harapashi (miell misri me të brendshme qengji), byreku me lakra etj. Natyrisht, si qytet bregdetar që është, Vlorës nuk i mungojnë as gatimet me peshk, si tava e peshkut, ose tava e ngjalave, gatimi i frutave të detit, verërat me cilësi të lartë prodhuar në Nartë etj.

Vlora nuk ofron vetëm gatime tradicionale labe: duke qenë se Vlora ka qenë gjithnjë e ndikuar nga Italia, në qytet gjenden edhe restorante me gatime tipike italiane, ose piceri mjaft popullore ndër vlonjatët dhe vlonjatet puro. Cilido qoftë oreksi juaj, Vlora premton që t’jua mbushë stomakun dhe t’ju lërëjashtëzakonisht të kënaqur në gastronomi!

10. Të njohësh vlonjatët

Vlonjatët

Vlonjatët

Çdo qytet shqiptar ka një identitet të vetin, i cili reflektohet te qytetarët e tij.Për shembull, shkodranët njihen për ahengun e tyre, por edhe për humorin e hidhur që kanë.”Tiranasit, – shkruante Fan Noli. – janë dembelë për Stamboll”, megjithëse vështirë të përcaktosh qartë një identitet për tiranasit, që pas dyndjes në vitet ’90!Gjirokastritët akuzohen si kurnacë, por edhe të gjithë në një thes nuk mund të futen!Po vlonjatët?Vlonjatët janë thjesht unikë.Nëse je person i turpshëm dhe rastis në kafe me një vlonjat, mos u shqetëso: flet ai sa për të dy ju!Nëse je i mërzitur për diçka dhe kërkon patjetër ta heqësh mendjen, mjafton që një vlonjat të hapë gojën e të nisë të flasë me theksin e tij karakteristik: puf, mërzia jote zhduket dhe i lë vendin të qeshurës.Vlonjatët janë persona mjaft dinamikë e të hedhur: ata nuk zmbrapsen asnjëherë dhe e kanë në majë të gjuhës përgjigjen e radhës.Ndonjëherë, vlonjatët mund të jenë mjaft gjaknxehtë e kokëshkëmb, por pasi e thonë diçka, nuk e tërheqin më dhe besojnë fort në ato çfarë duan.

Vlonjatët lënë kokën mbas Vlorës dhe në profilin e Facebook-ut të një vlonjati ka gjithmonë diçka në lidhje me të: foto të bregdetit të Vlorës, “Flamurtarin” te skuadrat e preferuara, Ismail Qemalin në ndonjë foto cover-i, ose edhe emrin e tyre në Facebook e vënë “Filan Vlonjati“. Ia vlen të vizitosh Vlorën për t’u njohur me vlonjatët dhe për të qenë i mikprituri i tyre. Mikpritja e vlonjatëve nuk bie më poshtë nga ajo e shkodranëve, dibranëve, elbasanasve, tiranasve apo e çdo qyteti të Shqipërisë, përkundrazi: vlonjatët nuk kanë pse mundohen aspak që t’ju kënaqin, sepse u vjen natyrshëm humori, dinamizmi dhe optimizmi. Gjithashtu, nuk ka se kush jua paraqet Vlorën më mirë se një vlonjat: dashuria e tij për Vlorën është aq e fortë dhe ngjitëse, sa do t’ju “infektojë” edhe juve pak e nga pak.Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në këtë mes!

Dashuria për Vlorën është plotësisht e justifikuar: Vlora, mbretëresha e dy deteve, di t’ua kthejë po njëlloj dashurinë njerëzve që e duan, me bukuritë natyrore, kulturore dhe shpirtërore që u ofron! Mendojmë se sapo e shumëfishuam dashurinë e vlonjatëve për Vlorën!

Shpresojmë shumë që t’ju kemi bindur që ta vizitoni Vlorën tonë!

 


 

Nëse po, krahas vendeve të lartpërmendura, ju ftojmë që të vizitoni edhe dyqanin tonë Penelope Vlorë Skelë ose na vizitoni ne faqen tone ne Facebook ose ne Blogger.

 

Ju faleminderit që e lexuat këtë postim! Mirepresim komentet tuaja 🙂

 

 

Vlora: 10 arsye përse duhet vizituar

 

Share - Shperndaheni:

Vlora , , , ,

Your Comments

Sign up for our Newsletter

Enter your email and stay on top of things,

Newsletter